Revista Juridike Shqiptare është një nismë që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në kuadër të projektit "Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE" me mbështetjen financiare të Bashkimi Europian - IPA CSF 2021 në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Lirinë e Informacionit (CTFI). Gjatë dy viteve të para 2017-2019 të krijimit të RJSH - EMA bashkëpunoi me Institutin e Politikave dhe Ligjit (IPL) dhe Revista Juridike u mbështet nga Ambasada Holandeze në Shqipëri. Objektivi kryesor i kësaj nisme është krijimi i një Reviste Ligjore, që mungon deri më tani në kuadrin ligjor shqiptar, me qëllim për të sjellë risinë jo vetëm në sajë të temave që ajo adreson, por edhe nga grupet dhe struktura ku fokusohet. Tematika kryesore ku mbështeten artikujt janë: a) Legjislacioni Shqiptar b) Të Drejtat e Njeriut c) Çështjet Praktike dhe Administrative dhe d) Bashkimi Europian dhe Integrimi. Revista synon të arrijë përfshirjen dhe kontributin e grupeve të caktuara që përfshijnë komunitetin klasik legal si gjyqtarët, avokatët, studentët e drejtësisë, kërkuesit dhe akademikët, ashtu edhe përfaqësues e ekspertë të shoqërisë civile, zyrtarë të administratës, politikë-bërës, operatorë biznesi dhe qytetarë të interesuar në çështje të tilla.
Objektivat kryesore dhe qëllimet që Revista Ligjore synon të arrijë janë si vijon:
- Qëllimi afatgjatë mundësia për krijimin dhe themelimin e një doktrine ligjore shqiptare më të zhvilluar, pasi deri më tani kjo mungon;
- Të ndihmojë në krijimin e një debati publik mbi aspektet më të rëndësishme të kuadrit ligjor dhe institucional të Shqipërisë, pasi revistat ligjore janë në një numër të vogël në vend;
- Të ofrojë një analizë të thellë dhe në detaje sa i përket kuadrit ligjor dhe institucional shqiptar;
- Të identifikojë hapësirat dhe mangësitë ligjore dhe institucionale, ndjekur nga rekomandime konkrete;
- Të ndihmojë në përmirësimin e legjislacionit shqiptar në të ardhmen;
- Të ofrojë një informacion të qartë, të arritshëm për të gjithë kjo dhe në sajë të shpërndarjes në formë elektronike;
Një veçanësi e revistës është publikimi i artikujve në të dyja gjuhët, Shqip dhe Anglisht online dhe falas, si dhe ofron hapësirën për të komentuar, sugjeruar dhe diskutuar me anë të një blogu.