Udhëzimet për Autorët

LLOJET E ARTIKUJVE

Revista Juridike Shqiptare do të botojë artikuj analitikë të cilat trajtojnë një sërë disiplinash që kanë në fokus ligjin dhe politikat. Artikujt do të përfshihen në njërën nga katër shtyllat tematike të revistës: 1)Kuadri Ligjor; 2)Çështje Praktike dhe Administrative; 3)Të Drejtat e Njeriut; 4) Bashkimi Europian dhe Integrimi. Autorëve u këshillohet që të përshtatin artikullin e tyre me një nga kategoritë e mësipërme. Një artikull mund të mbulojë dy ose më shumë shtylla, në këto raste Kryeredaktorja do të vendosë se në cilën shtyllë të revistës do të botohet artikulli.

KRITERET QË DUHET TË PËRMBUSHË AUTORI

Revista Juridike Shqiptare synon të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Ndaj nuk ka kërkesa të rrepta për autorët, për aq kohë sa përmbushen kërkesat e cilësisë së Artikujve. Kërkesë minimale për të gjithë autorët është që të zotërojnë të paktën nivelin e parë të diplomës universitare. Gjithsesi në raste të veçanta mund  të merren parasysh dhe artikuj me cilësi të lartë të studentëve të cilët nuk janë diplomuar ende. Autorët që mbajnë tituj akademikë dhe kanë ekspertizë në shtyllat tematike të artikujve do të konsiderohen me përparësi. Secili autor/e që paraqet një artikull duhet të dërgojë një biografi të shkurtër prej 150-200 fjalësh që përshkruan formimin e tij/saj akademik dhe profesional.

PËRGJEGJËSIA E AUTORËVE

Autorët mbajnë përgjegjësi për artikujt që paraqiten prej tyre. Në mënyrë të veçantë është përgjegjësi e Autorit/es për të siguruar dhe garantuar që:

- Punimi i dorëzuar është origjinal

- Artikulli i paraqitur nuk përmban informacion ofendues apo denigrues,  nuk shkel të drejtën e autorit apo të drejta të tjera, nuk shkel të drejtën e privatësisë apo është i paligjshëm në ndnjë mënyrë tjetër.

- Autori ka marrë lejen paraprake me shkrim, për botimin e artikullit në formë elektronike apo të shtypur, në rast se autori nuk ka të drejtën e autorit të artikullit. 

- Në rast se ka më shumë se një autor/e, duhet të përmendet emri i bashkëautorit(ëve) dhe autori që dorëzon artikullin duhet të marrë leje për botim nga bashkautori(ët).

KËRKESAT E CILËSISË

Revista Juridike Shqiptare do të zbatojë kërkesa të rrepta për cilësinë, me qëllim që t’u ofrojë lexuesve  Artikuj me cilësi të lartë. Çdo artikull do të shqyrtohet nga Bordi i Redaktorëve, të cilët kanë vendimin përfundimtar për miratimin e Artikujve të dorëzuar.

ORIGJINALITETI

Revista Juridike Shqiptare, në përputhje me protokollet akademike dhe profesionale, nuk mund të pranojë një Artikull nëse nuk është punim origjinal i autorit, nëse është botuar më parë ose është aktualisht duke u shqyrtuar për botim diku tjetër. Artikujt e botuar më parë mund të publikohen në Revistën Juridike Shqiptare nëse ato janë ri-redaktuar/përditësuar nga Autori. Në këtë rast, çështjet e së drejtës së autorit dhe leja e ribotimit të artikullit do të jenë përgjegjësi e Autorit pas nënshkrimit të një vetë-deklarimi në këtë drejtim.

Një artikull që më parë ka qenë në shqyrtim nga një botues ose revistë tjetër mund të botohet nga Revista Juridike Shqiptare pasi autori të paraqesë një dëshmi formale me shkrim për refuzimin ose tërheqjen e Artikullit nga botuesi i mëparshëm, ose një vetëdeklarimi në këtë drejtim.

ETIKA

Artikulli  nuk duhet të përmbajë deklarata denigruese, ofenduese ose të paligjshme. Ai duhet të shprehë pikëpamjen e lirë dhe analizën e autorit, nën përgjegjësinë e tij, dhe nuk duhet të jetë në kundërshtim me të drejtën e autorit të ndonjë personi tjetër, ose në shkelje të të drejtave të tjera, duke përfshirë të drejtën e privatësisë ose i paligjshëm në ndonjë mënyrë tjetër.

DEKLARATA E KONFLITKIT TË INTERESIT

Të gjithë autorëve u kërkohet të zbulojnë çdo konflikt aktual ose potencial të interesit, që mund të ndikojë në mënyrë të papërshtatshme ose të perceptohet si ndikim në punën e tyre, duke përfshirë çdo marrëdhënie financiare, personale apo të ndonjë lloji tjetër, me njerëz ose organizata të tjera, brenda 6 muajve nga fillimi i punës së paraqitur.

KRITERET PËR SHKRIMIN E ARTIKULLIT

- Gjatësia - Artikujt zakonisht duhet të përmbajnë 3.500-5.500 fjalë (me përjashtim të figurave, tabelave dhe referencave), megjithëse do të merren parasysh artikujt që i tejkalojnë 5.500 fjalë por janë me cilësi të lartë.

- Gjuha – Artikujt do të publikohen në gjuhën shqipe ose angleze, kështu që artikujt mund të dorëzohen në një nga gjuhët. Në rast përdorimi të gjuhës angleze, autori duhet të shkruajë artikullin në anglishten e Mbretërisë së Bashkuar  ose në anglishten Amerikane, por jo një përzierje të të dy gjuhëve. Autorët të cilët nuk janë të njohur me gjuhën akademike Angleze inkurajohen të paraqesin artikullin në gjuhën shqipe. 

- Formati - Artikujt duhet të jenë të formatuar me hapësirë të vetme mes paragrafëve (single), në Times New Roman, madhësia e gërmave 12. Teksti duhet të jetë në format me një kolonë. Të gjithë Artikujt e pranuar do të formatohen për botim.

- Struktura – Artikujt duhet të përmbajnë së paku paragrafët e mëposhtëm: titulli i cili duhet të jetë konciz dhe informativ dhe nuk duhet të përmbajë ndonjë shkurtim; Abstrakti, maks. 100 fjalë që përshkruan qartë temën; Fjalët kyçe më të rëndësishme të temës nën abstrakt; Pjesën analitike që përmban analizën e temës; Përfundimet dhe rekomandimet e autorit. Ngjarjet e reja (legjislative apo të tjera) të cilat kanë impakt mbi temën e trajtuar në artikull duhet të përshkruhen qartësisht dhe zhvillimet e mëtejshme të pritshme duhet të  përmenden

- Referencat dhe Shënimet – Referencat dhe shënimet duhet të vendosen në formën e një futnote në fund të secilës faqe dhe të përmbajnë informacionin e mëposhtëm: Emri i autorëve dhe inicialet; Data e publikimit; Titulli i librit ose artikullit në shkronja të pjerrëta (italics); Qyteti (nëse është e aplikueshme); Vëllimi dhe numri i edicionit (nëse është e aplikueshme); Shtëpia Botuesedhe numrat e faqeve. Referencat duhet të bëhen vetëm për veprat që botohen nga  Shtëpitë Botuese, universitetetet ose organizatat ndërkombëtare të mirënjohura dhe autoritetet shtetërore. Referencat e artikujve të gjetshëm në internet duhet të përmbajnë lidhjen e internetit. Kryeredaktorja do të vlerësojë vlefshmërinë e referencave.

- Shkurtimet –Shkurtimet duhet të përdoren pak. Shkurtimet që janë të pashmangshme duhet të përcaktohen në përmendjen e tyre të parë. Të sigurohet qëndrueshmëri e shkurtimeve gjatë të gjithë punimit.

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Procedura e përzgjedhjes së Artikujve udhëhiqet nga parimet e cilësisë, paanshmërisë, risisë dhe shqyrtimit të thelluar. Artikujt e  paraqitur do të kalojnëdy faza shqyrtimi. Faza e parë është shqyrtimi paraprak dhe faza e dytë është shqyrtimi përfundimtar nga Bordi i  Redaktorëve, i cili do të japë miratimin për botimin.

Bordi i Redaktorëve do të kryejë shqyrtimin paraprak të Artikujve të dërguar, bazuar në kërkesat e cilësisë dhe kërkesat e tjera që përmbahen në këtë udhëzim. Artikujt që nuk konsiderohen mjaftueshëm origjinalë, kanë gabime serioze shkencore, kanë gramatikë ose gjuhë të dobët ose janë jashtë qëllimeve dhe fushëveprimit të revistës, do të refuzohen në fazën paraprake, nëpërmjet një njoftimi me shkrim të dërguar me e-mail tek autori i dorëzimit. Artikujt që plotësojnë kriteret minimale i kalojnë Bordit të Redaktorëve për shqyrtimin përfundimtar.

Bordi i redaktorëve do të shqyrtojë artikujt e dorëzuar  dhe do të zgjedhë ato që vlerësohen në përputhje me nevojat e botimit të numrit specifik të Revistës Juridike. Autorëve mund tu kërkohet të shqyrtojnë dhe të redaktojnë artikujt e tyre. Pas miratimit përfundimtar të Bordit të Redaktorëve, secili Autor, artikulli i të cilit është përzgjedhur për botim, do të nënshkruajë një Marrëveshje për Dorëzim dhe Botim. Marrëveshja do të përmbajë termat dhe kushtet e botimit, çështjet e së drejtës së autorit dhe shpërblimin financiar që do t'i ofrohet secilit autor. Të gjitha komunikimet midis autorëve dhe Bordit do të shkëmbehen përmes e-mailit.

E DREJTA E AUTORIT

Autori duhet të jetë pronar i së drejtës së autorit. Në rast se e drejta e autorit është në pronësi të një personi tjetër dhe / ose shoqërie (p.sh. Punëdhënësit), leja me shkrim për botimin e artikullit kërkohet nga pronari i autorit. Me nënshkrimin e Marrëveshjes, autori do të transferojë dhe caktojë të drejtat e autorit në Revistën Juridike Shqiptare. Kjo i jep Revistës Juridike Shqiptare të drejtën dhe përgjegjësinë e vetme për të botuar Artikullin, duke përfshirë të drejtat e shpërndarjes së Artikullit, si në formë të shtypur ashtu edhe në atë elektronike. Artikulli mund të botohet në formë të shtypur, në internet, në CD-ROM ose në formate të tjera mediatike. Kryeredaktorja dhe Bordi i Redaktorëve janë të autorizuar të bëjnë ndryshime të tilla redaktuese që mund të jenë të nevojshme për ta bërë artikullin të përshtatshëm për botim, duke i dhënë njoftim paraprak me shkrim autorit nëse nevojiten ndryshime thelbësore.

Transferimi i së drejtës së autorit në Revistën Juridike Shqiptare nuk do të thotë se Autori i humb këto të drejta. Autori gjithashtu do të mbajë të drejtat e tij / saj dhe në veçanti të drejtat e mëposhtëme:

- Të drejtat e patentave dhe markave tregtare

- E drejta për t'u identifikuar si Autori

- E drejta për të përdorur artikullin në procesin hulumtues të Autorit, dhe kurset e mësimdhënies

- E drejta për të përfshirë përmbajtjen e Artikullit në veprat e tjera të Autorit

- Kur përdor të drejtën e autorit për qëllime kërkimi dhe mësimdhënieje, Autori duhet të garantojë se Revista Juridike Shqiptare do të njihet si burimi origjinal i botimit me anë të një citati të plotë të Revistës Juridike Shqiptare si, së bashku me një lidhje me faqen e internetit të Revistës (linkun).

TARIFAT

Artikujt e botuar në Revistën Juridike Shqiptare do të jenë pa pagesë për autorët dhe do të jenë të aksesueshme për publikun sipas regjimit të aksesit të lirë. Regjimi i aksesit të lirë pa pagesë do të thotë se artikujt do të jenë lirisht të aksesueshme për të gjithë lexuesit që hyjnë në faqen online të Revistës Juridike Shqiptare. Aksesi për të gjithë lexuesit do të jetë pa pagesë.

 

DËRGIMI I ARTIKUJVE

Autorët e interesuar duhet të dërgojnë draftin elektronik të artikujve të tyre në adresën e e-mailit: info@em-al.org

Të gjitha komunikimet midis autorëve dhe redaksisë së revistës në lidhje me artikullin, ndryshimet, rishikimet etj., do të bëhen me shkrim përmes e-mailit.

 

 

Partnere e sponsore