Më datë 29 janar 2025 pranë mjediseve të Xheko Imperial Hotel, u zhvillua një sesion informues mbi monitorimin dhe vlerësimin e politikave të shtetit të së drejtës (MEL), me qëllim informimin mbi MEL, rolin që mund të luajnë organizatat e shoqërisë civile mbi monitorimin e reformave dhe politikave të lidhura me forcimin e shtetit të së drejtës në kuadër të procesit të integrimit europian dhe nevojat për ngritje kapacitetesh dhe rritjen e ekspertizës sa i përket procesit MEL, mjeteve dhe metodave që mund të përdoren.
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), nisi fjalën e tij duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve për monitorimin dhe vlerësimin e politikave, duke shtuar se ky proces ka pasur gjithmonë nevojë për një hapësirë më të detajuar që e trajton këtë aspekt në mënyrë më të thelluar dhe të strukturuar. Ai gjithashtu theksoi se përpjekjet për të avancuar këto kapacitete janë thelbësore për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në politikën e shtetit të së drejtës, që bëhet dhe më relevante ku këto politika lidhen drejtpërdrejt me procesin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Mimoza Agolli, eksperte për MEL, shpjegoi në mënyrë më të detajuar përmbajtjen e moduleve të integruara MEL, duke u fokusuar kryesisht te politikat në fushën e shtetit të së drejtës, duke theksuar se reflektimi nga edicioni i kaluar do të pasqyrohet në edicionet e ardhshme mbi çështjet e patrajtuara apo nevojën për thellim mbi to. Agolli u shpreh se synohet që fokusi të jetë në politikat e shtetit të së drejtës, por kjo varet edhe nga interesat e pjesëmarrësve, dhe do të ketë mirëkuptim të plotë për çështjet që ata do të dëshirojnë të trajtojnë në mënyrë që të përfitojnë nga ky program në përputhje me fushën e tyre të ekspertizës. Më tej u shpreh se krahas pjesës teorike do të ketë raste konkrete të monitorimit të politikave dhe ndryshimet e pritshme që mund të sjell, kështu pjesëmarrësit do të arrijnë të zbatojnë mirëfilltazi teoritë nëpërmjet shembujve të ndryshëm.
Irma Semini, Specialiste e MEL, Swiss Contact Albania, pjesëmarrëse në edicionin e parë të MEL, shprehu se kjo ka qenë padyshim një eksperiencë e vlefshme për të. Ajo theksoi se aktivitete të këtij lloji janë të nevojshme dhe shpesh mungojnë në vendin tonë, duke i konsideruar ato si një mundësi të shkëlqyer për zhvillim profesional por dhe për ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile. Sipas saj, një mundësi e tillë është shumë e rëndësishme për profesionistët që punojnë në këtë fushë dhe duan të angazhohen më shumë në monitorimin dhe vlerësimin e politikave publike të ndërmarra në vendin tonë. Duke reflektuar mbi përvojën e saj, ajo vuri në dukje rëndësinë e thellimit të moduleve dhe shtrirjes së tyre në një periudhë më të gjatë kohore, në mënyrë që pjesëmarrësit të kenë mundësi të eksplorojnë më në thellësi temat e trajtuara. Sipas saj, një program më i zgjeruar do të rriste edhe më shumë përfitimet për profesionistët e angazhuar në këtë fushë, duke i dhënë atyre kohën dhe hapësirën e nevojshme për të përthithur njohuritë dhe për t’i aplikuar ato në praktikë duke qenë që për një pjesë të mirë të pjesëmarrësve nga shoqëria civile këto tema janë të reja dhe pak të njohura prej tyre.
Klajdi Tozaj, Koordinator Projekti pranë Qendrës ALERT; gjithashtu pjesëmarrës në edicionin e parë të moduleve të integruara MEL, u shpreh se trajtimi i temave të tilla kaq të rëndësishme mund të konsiderohet “si një shkollë më vete.” Ai e vlerësoi shumë eksperiencën dhe theksoi se do të ishte një mundësi e shkëlqyer për pjesëmarrësit në të ardhmen, nëse mund të organizoheshin edhe webinar-e online, krahas atyre fizike, për t’u ofruar mundësi më fleksibile për angazhim dhe pjesëmarrje dhe pjesëmarrësve nga qytete të tjera të Shqipërisë që mund të mos e kenë të lehtë ti ndjekin ato fizikisht në Tiranë. Tozaj u shpreh gjithashtu që me intensifikimin e procesit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, edhe OSHC-të duhet të rrisin hapësirat dhe mundësitë për rritje të kapaciteteve dhe ekspertizës në monitorimin, vlerësimin e këtyre politikave për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe fuqizim të institucioneve dhe proceseve demokrative në vend.
Më vonë, diskutimi u hap për pjesëmarrësit, duke u ofruar mundësinë për të drejtuar pyetje dhe për të ndarë idetë e tyre. Pjesëmarrësit u bën pjesë e diskutimit duke u shprehur se e shihnin si një mundësi të nevojshme rritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës mbi MEL, bazuar sipas fushave të tyre të interesit, ku do donin të ndaleshin e të thellonin më shumë njohuritë. Në këtë mënyrë, sesioni synoi jo vetëm prezantimin e punës së deritanishme të MEL, por gjithashtu krijimin e mundësive për një dialog të frytshëm mbi mundësitë për përmirësimin e aktiviteteve të ardhshme e fokus dhe forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në këtë fushë. Në përfundim, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e edicionit të parë të Moduleve të Integruara MEL për Politikat Publike të Shtetit të së Drejtës, një moment që vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e të gjithë atyre që kontribuan në këtë program.
**Ky sesion informues zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021 dhe Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).