Vota e shtetasve me qëndrim apo vendbanim jashtë vendit është një nga ato çështje zgjedhore që mbart universalisht polemika. Diskutimi qëndron qoftë në aspektin parimor, si edhe në atë të adresimit të çështjeve procedurale. Lejimi dhe mundësimi i votës së këtyre shtetasve sipas legjislacioneve të ndryshme mbart rregullime të çështjes në varësi të konteksteve respektive. E drejta ndërkombëtare zgjedhore ka vendosur disa standarde në këtë çështje, por larg të qenurit shterues. Gjithsesi janë disa dokumente të pranuar, si për shembull nga Komisioni i Venecias apo Këshilli i Europës, si dhe vendime gjyqësore të Gjykatave të së Drejtës që kanë vendosur një sërë parimesh garantiste. Gjithashtu, praktika e vendeve vazhdon të eksplorojë rregullime dhe praktika të ndryshme. Risia më e fundit ligjore, nga një vend tradicionalisht demokratik dhe me institucione të konsoliduara, është ajo e Mbretërisë së Bashkuar. Pas një reforme ligjore historike në çështjet zgjedhore, Mbretëria e Bashkuar ndër të tjera vendosi rregullime të reja për të drejtën e votës së shtetasve të saj me vendbanim jashtë vendit të tyre. E ashtuquajtura diasporë, në vijueshmëri ka qenë e angazhuar në proceset politike dhe elektorale në Shqipëri. Pas tre dekadave procese zgjedhore pluraliste dhe kërkesave të ngritura me ngulm, pas ndryshimeve të fundit ligjore, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2025 mund të vendoset në zbatim një mekanizëm votimi jashtë vendit për shtetasit shqiptar jashtë Republikës së Shqipërisë. Një mekanizëm që proceduralisht ende është në plotësim, me pikëpyetje mbi infrastrukturën e nevojshme dhe sa e mundshme është në kuadrin kohor. Ky kontekst ngre shqetësime mbi integritetin e procesit të votimit të ardhshëm në këtë drejtim. Në rezultante të të gjithave, artikulli i propozuar synon të ofrojë një panoramë të standardeve ndërkombëtare dhe ku qëndron reforma zgjedhore e fundit e ndërmarrë në Shqipëri, në krahasim me synimin e gjetjes së elementëve pozitivë dhe në evidentimin e çështjeve kritike që mund të shoqërojnë procesin e ardhshëm. Artikulli përpiqet të vendosë një kuadër të përmbledhur të kuadrit teorik duke synuar të evidentojë atë çfarë i ka munguar debatit publik deri më sot, gjë e cila passjell rrezikun e keqpërdorimit të mekanizmit në fjalë.
Facebook Comments