Sfidat e sigurisë ushqimore në kuadër të aderimit në Bashkimin Europian: Analizë e kuadrit ligjor dhe institucional të Republikës së Shqipërisë, (2026), Iva Plaushku

Shtylla përkatëse: 
Abstrakti: 

Siguria ushqimore përbën një nga shtyllat themelore të politikave publike bashkëkohore, duke luajtur një rol kyç në mbrojtjen e shëndetit publik, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe integrimin e vendeve në tregjet ndërkombëtare. Në Shqipëri, sektori agroushqimor përballet me sfida të rëndësishme që lidhen me garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore, përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendase në tregun europian. Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë merr ekzistenca e një sistemi efektiv ligjor dhe institucional, i cili siguron kontrollin e zinxhirit ushqimor, zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
Në kontekstin e procesit të integrimit europian, siguria ushqimore përfshihet në Kapitullin 12 të acquis communautaire, pjesë e Grup-Kapitullit 5. Për rrjedhojë, institucionet shtetërore dhe grupet e interesit kanë intensifikuar përpjekjet për përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë, fitosanitarisë dhe kontrolleve zyrtare.
Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2025 evidenton se kuadri normativ shqiptar mbetet ende pjesërisht i harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe strukturave përgjegjëse për inspektimin dhe monitorimin e sektorit. Veçanërisht, raporti nënvizon domosdoshmërinë e përmirësimit të mekanizmave të mbledhjes dhe menaxhimit të të dhënave, rritjes së transparencës institucionale dhe forcimit të koordinimit ndërinstitucional.
Qëllimi i këtij artikulli është të analizojë kuadrin ligjor dhe institucional të sigurisë ushqimore në Shqipëri në raport me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian. Studimi synon të identifikojë problematikat ekzistuese në funksionimin e institucioneve përgjegjëse, sfidat që shoqërojnë mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit, si dhe nevojën për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit europian. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë i kushtohet certifikimit të produkteve biologjike (“bio”) dhe kuadrit juridik ndërkombëtar që rregullon këtë fushë, duke analizuar ndikimin e tij në promovimin dhe aksesin e produkteve shqiptare në tregjet e Bashkimit Europian.
Metodologjia e studimit mbështetet në analizën juridike dhe krahasuese të legjislacionit kombëtar dhe atij europian, si dhe në shqyrtimin e dokumenteve strategjike, raporteve të progresit dhe akteve të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në përfundim, artikulli paraqet gjetje dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, me synim forcimin e mekanizmave të kontrollit, garantimin e një niveli më të lartë të sigurisë ushqimore dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian

Artikulli i plotë: 

Facebook Comments

 

 

Partnere e sponsore