
Zhvillimet e teknologjisë vitet e fundit, në veçanti përparimi i inteligjencës artificiale (IA), kanë qenë edhe në vëmendjen e sistemit të drejtësisë penale, ku në disa raste IA i ka shërbyer si akuzës ashtu edhe mbrojtjes. Nga praktika rezulton se IA po përdoret në çështje penale për të krijuar ose mbështetur prova biologjike, elektronike, zanore dhe pamore, por edhe për të verifikuar vërtetësinë e provës. Madje, IA ka filluar të përdoret edhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë përmes projektit “Harmony” për përkthime automatike, identifikim biometrik, përmirësimin e cilësisë së imazheve, dhe në përgjithësi për rritjen e efiçencës në procedime. Ky artikull merr në shqyrtim përdorshmërinë e provave me IA në procesin penal bazuar në raste nga praktika, duke identifikuar njëkohësisht pasojat që mund të sjellë përdorimi i IA-së në të drejtat e njeriut. Në këtë drejtim, artikulli ndalet edhe te rasti shqiptar lidhur me llojet e provave dhe parimet e çmuarjes së tyre, duke marrë në konsideratë prirjen e Shqipërisë drejt digjitalizimit. Artikulli përfundon me evidentimin e një sërë problematikash rreth provave të krijuara me IA, si cenimi i privatësisë dhe konfidencialitetit, gabueshmëria, mungesa e transparencës, dhe paragjykimi algoritimik. Gjendur përballë këtyre sfidave, është e nevojshme që të arrihet një ekuilibër ndërmjet drejtësisë penale efiçente dhe respektimit të të drejtave të njeriut.







Facebook Comments