
Gjatë muajve të fundit, disa hetime penale me profil të lartë e kanë zhvendosur pjesërisht fokusin e debatit publik mbi reformën në drejtësi nga legjitimiteti i saj politik tek prirja e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të mbajtur në paraburgim personat nën hetim. Në të vërtetë, një numër studimesh, raportesh dhe artikujsh kanë theksuar se, edhe pse Kodi i Procedurës Penale parashikon se paraburgimi caktohet si masë e fundit, gjyqtarët e caktojnë atë në mënyrë rutinore, madje edhe në raste kur ekzistojnë kushte të përshtatshme për masa të tjera më pak kufizuese. Kjo mospërputhje nuk përbën vetëm një problem zbatimi, por është simptomë e një kulture të rrënjosur në vendimmarrjen gjyqësore. Artikulli sugjeron konceptin e “kulturës së rrezikut” në sistemin gjyqësor si një lente analitike, e cila ndihmon të kuptojmë se përse gjyqtarët shpesh zgjedhin masën më kufizuese të mundshme, pavarësisht dispozitave ligjore që kërkojnë një vlerësim të proporcionalitetit dhe nevojës reale për kufizimin e lirisë. Ky sugjerim bazohet në një rishikim të detajuar të kërkimeve empirike mbi arsyet e vendimmarrjes gjyqësore, të cilat tregojnë se gjyqtarët nuk i marrin vendimet thjesht bazuar në faktet e *ështjes dhe ligjin e zbatueshëm, por se ata ndikohen edhe nga personaliteti i tyre, emocionet, intuita dhe paragjykimet. Për më tepër, kërkimet tregojnë se gjyqtarët mbireagojnë ndaj mekanizmave të përgjegjësisë, si shqyrtimi në apel, inspektimi dhe promovimi. Këto kërkime do të shqyrtohen në kontekstin e raporteve ekzistuese për vendimmarrjen e gjyqtarëve shqiptarë, ndërkohe që artikulli bën një analizë të pavarur vendimesh të zgjedhura gjyqësore, si dhe të legjislacionit të zbatueshëm. Të dhënat plotësohen edhe me disa intervista me profesionistë të sistemit të drejtësisë. Analiza e të dhënave kualitative tregon se gjyqtarët shpesh veprojnë nën supozimin se paraburgimi është “zgjedhja më e sigurt”, një formë mbrojtjeje nga kritikat publike, presioni institucional apo ndëshkimi në rast të ndonjë rezultati të padëshiruar. Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe faktorë institucionalë dhe strukturorë që e përforcojnë këtë qasje. Gjyqtarët përballen me ngarkesë të madhe pune dhe kohë të kufizuar për një analizë të detajuar të rasteve, gjë që i shtyn drejt përdorimit të modeleve standarde e sipërfaqësore të arsyetimit. Ndërkohë, mungesa e strukturave efikase për mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave alternative krijon perceptimin se ato janë më pak të besueshme dhe më të rrezikshme. Në vijim, artikulli analizon jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të nxjerrë në pah implikimet që kultura gjyqësore e rrezikut mund të ketë për shkeljen e nenit 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Disa rekomandime jepen për të luftuar kulturën e rrezikut: trajnime mbi standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, hartimin e kritereve më të qarta për vendimmarrjen mbi masat e sigurimit, forcimin e strukturave të mbikqyrjes së masave alternative, etj. Në përfundim, artikulli është një thirrje për transformimin e kulturës gjyqësore. Përballja e drejtpërdrejtë me mekanizmat e brendshëm të frikës dhe pasigurisë që nxisin caktimin sistematik të paraburgimit është e vetmja mënyrë për të përmbushur standardet evropiane dhe për të garantuar parimin e prezumimit të pafajësisë.







Facebook Comments