
Masat e sigurimit personal në procesin penal, e veçanërisht masa më e rëndë “arresti në burg”, përfaqësojnë ndërhyrje të rëndësishme në të drejtën themelore për liri dhe siguri personale. Ato janë të justifikueshme vetëm në kushte të mirëpërcaktuara nga ligji, me qëllim garantimin e zhvillimit të drejtë të procesit penal dhe parandalimin e rreziqeve reale që mund të cenojnë hetimin, gjykimin apo rendin publik. Megjithatë, në praktikën gjyqësore shqiptare dhe më gjerë, është vënë re një tendencë për të zbatuar masa kufizuese të lirisë së individit në mënyrë automatike ose pa një analizë të thelluar të rrethanave konkrete të secilit rast.Artikulli do të trajtojë problematikën e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurimit, me fokus të veçantë tek arresti në burg, por jo vetëm, duke e shqyrtuar atë në dritën e parimeve kushtetuese dhe të jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në mënyrë të veçantë, do të theksohet nevoja për një vlerësim individual, të balancuar dhe të arsyetuar të masës së sigurisë në raport me natyrën e veprës penale, rrezikshmërinë e personit, fazën e procedimit dhe rrethanat shoqëruese, si dhe nevoja për rishikim pas kalimit të kohës. Masa e sigurimit nuk duhet të zbatohet si rregull, por si një përjashtim, vetëm kur provat konkrete dëshmojnë rrezik real për arratisje, përsëritje të veprës penale apo pengim të drejtësisë. Gjykatat janë të detyruara të eksplorojnë të gjitha masat më të lehta të sigurimit përpara se të caktojnë arrestin në burg. Mungesa e analizës së alternativave si ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrimi për paraqitje ose garancia pasurore përbën një shkelje të nenit 5 të KEDNJ-së. Po ashtu, argumentimi i vendimit për arrest në burg nuk mund të bazohet në formulime të përgjithshme, por duhet të përmbajë arsyetime të qarta për relevancën dhe mjaftueshmërinë e masës, sipas standardeve të vendosura në jurisprudencën e GJEDNJ-së.Artikulli do të marrë në shqyrtim edhe raste konkrete nga jurisprudenca shqiptare, për të nxjerrë në pah sfidat që hasin gjykatat në vlerësimin e kritereve për masat e sigurimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrezikut që masa e paraburgimit të kthehet në një formë ndëshkimi të parakohshëm dhe të cenojë parimin e prezumimit të pafajësisë, duke rritur ndjeshëm rrezikun e dënimeve të padrejta dhe cenimit të integritetit të procesit penal.Në përfundim, artikulli do të shoqërohet me rekomandime për një rishikim të praktikës gjyqësore në drejtim të forcimit të garancive procedurale, të rritjes së transparencës së vendimmarrjes dhe të promovimit të një kulture juridike ku liria e individit mbrohet si rregull dhe jo si përjashtim.







Facebook Comments