
Ky punim analizon zhvillimet ligjore, institucionale dhe diskursin që lidhet me legalizimin dhe rregullimin e kanabisit industrial dhe kanabisit mjekësor në Shqipëri, në kuadr të reformave të sundimit të ligjit dhe përafrimit me acquis e BE-së (Kapitulli 24). Metodologjikisht, studimi mbështetet në dy intervista të thelluara me ekspertë të fushës. Joe Spencer, kryetar i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Industrisë së Kërpit, dhe një intervistë me analistin/gazetarin Sokol Bregu mbi ndërthurjet me krimin e organizuar dhe tregjet e paligjshme. Gjithashtu hulumtimi mbështetet në një desk research të gjerë me raporte të OKB-së, dokumente të Kuvendit, VKM/udhëzime, burime nga ASIG, mbulim mediatik e debate televizive, gazeta dhe mediume të vendeve të marra në studim. Analiza shqyrton ndikimin e faktorëve ekonomikë, socialë, aktorëve të interesit dhe diskursit publik mbi dallimin konceptual e rregullator midis “kanabisit mjekësor” dhe “kanabisit industrial”. Njëherazi, punimi studion mundësinë dhe vë theksin tek serioziteti i masave të gjurmueshmërisë “nga fara te shitja”, licencimit të rreptë, kontrollit të eksporteve, AML/CTF dhe transparencës mbi pronësinë e përfituesve. Duke integruar mësime nga përvojat problematike në Portugali, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, punimi evidenton boshllëqet institucionale dhe rreziqet e devijimit, por edhe potencialet e sektorit të kanabisit si pjesë e ekonomisë. Rekomandimet fokusohen në seriozitetin në atë që mund të quhet si sfida me e madhe e gjurmueshmërisë; përafrim më të ngushtë me ligjet ndërkombëtare si dhe ato të BE-së; në ndarjen e qartë ligjore e terminologjike, hapjen ndaj ekspertizave të huaja, kapitaleve të huaja si dhe forcës punëtore të huaj; forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe publikimin e përditësuar të të dhënave gjatë fazës së zbatimit me qëllim rritjen, integritetin dhe besimin publik.







Facebook Comments