
Në kontekstin e digjitalizimit të shpejtë të administratës publike dhe shërbimeve financiare, mbrojtja e të dhënave personale financiare përbën një sfidë të rëndësishme për shtetet kandidate në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ky punim shqyrton të drejtën për konfidencialitet financiar si pjesë e të drejtave themelore, me fokus të veçantë te Kapitulli 23 i acquis communautaire. Analiza përqendrohet në kuadrin rregullator të Bashkimit Europian, në veçanti në Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave, direktivat e Parlamentit Europian dhe Këshillit, rregulloret e Komisionit Europian, të cilat sëbashku vendosin standarde të larta për përpunimin e të dhënave personale, përfshirë ato me karakter financiar. Studimi shqyrton mënyrën se si të dhënat financiare si të ardhurat, pasuria, llogaritë bankare apo përfitimet e tjera përpunohen nga administrata publike, institucionet financiare dhe platformat digjitale të shërbimeve publike, dhe nëse ky përpunim është në përputhje me parimet për përpunimin e ligjshëm. Në këtë kuadër, i kushtohet rëndësi edhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në interpretimin e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke ofruar një pasqyrë të qasjes evropiane ndaj ndërhyrjeve në sferën financiare dhe detyrimit të shtetit për të garantuar një balancim të drejtë mes interesit publik dhe të drejtave personale. Studimi synon të vlerësojë nëse legjislacioni dhe praktikat në Shqipëri janë të përafruara me këto standarde evropiane, në funksion të garantimit të të drejtës për mbrojtje efektive të të dhënave financiare. Në përfundim, përmes një analize kritike, do të identifikohen boshllëqet kryesore dhe do të jepen rekomandime konkrete për forcimin e mbrojtjes së të dhënave në përputhje me acquis e BE-së dhe objektivat e integrimit evropian.







Facebook Comments