
Në një epokë ku teknologjia dhe rrjetet dixhitale kanë revolucionarizuar mënyrën se si ruhet, shpërndahet dhe menaxhohet informacioni, mbrojtja e të dhënave personale është shndërruar në një nga sfidat më të mëdha të të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, "e drejta për t’u harruar" shfaqet si një mekanizëm kyç për të garantuar ruajtjen e dinjitetit dhe të autonomisë së individit. E njohur fillimisht nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe e konsoliduar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), kjo e drejtë është tashmë pjesë e kuadrit juridik shqiptar përmes ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale", të hyrë në fuqi në janar të këtij vitit 2025. Ky punim synon të analizojë në mënyrë kritike përmbajtjen, natyrën dhe efektet e "së drejtës për t’u harruar" në sistemin juridik shqiptar, duke e vënë atë në kontekstin më të gjerë të të drejtave themelore të njeriut. Artikulli shqyrton sfidat që paraqiten në praktikë, përfshirë balancimin ndërmjet të drejtës për privatësi dhe interesit publik për informim. Përmes analizës së dispozitave ligjore, vlerësohet nëse kjo e drejtë funksionon realisht si një garanci për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Argumenti kyç i këtij artikulli është se "e drejta për t’u harruar" përbën më shumë se një mjet teknik për fshirjen e informacionit; ajo duhet të njihet, kuptohet dhe të zbatohet si një e drejtë themelore që i jep individit kontroll mbi identitetin e tij dixhital dhe mundësi për të mbrojtur dinjitetin e tij në një realitet ku informacioni lë gjurmë dhe nuk harrohet lehtë.







Facebook Comments