Deklarimi dhe verifikimi i pasurisë së zyrtarëve publikë: efektiviteti i mekanizmave të kontrollit dhe sfidat në identifikimin e pasurive të padeklaruara. Rivlerësimi kalimtar i magjistratëve në Shqipëri si një rast sui generis, (2026) Genard Dylqeshi

Shtylla përkatëse: 
Abstrakti: 

Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve përbën një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe një mekanizëm të jashtëzakonshëm për garantimin e integritetit të sistemit gjyqësor. Në kuadër të këtij procesi, kontrolli i kriterit të pasurisë ka synuar të verifikojë ligjshmërinë e burimeve financiare, saktësinë dhe plotësinë e deklarimeve, si dhe ekzistencën e pasurive të padeklaruara apo të fshehura të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta. Ligji nr. 84/2016 dhe kuadri kushtetues i rivlerësimit i kanë dhënë organeve të vettingut kompetenca të posaçme për kryerjen e një hetimi administrativ të thelluar, të pavarur nga vlerësimi i ILDKPKI-së. Ky artikull analizon procesin e verifikimit të deklarimit të pasurisë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar, me fokus të veçantë në rastet kur pasuritë janë mbajtur të padeklaruara, janë deklaruar në mënyrë të pasaktë ose janë fshehur duke u regjistruar në emër të personave të afërt me subjektin e rivlerësimit. Analiza mbështetet në kuadrin ligjor dhe në praktikën vendimmarrëse të organeve të vettingut, duke evidentuar se hetimi administrativ i thelluar ka mundësuar në raste të caktuara identifikimin e mospërputhjeve ndërmjet pasurisë së deklaruar, burimeve të të ardhurave dhe pasurisë faktike të subjektit. Në praktikën e KPK-së janë evidentuar raste ku konstatimet fillestare të ILDKPKI-së janë thelluar ose kanë ndryshuar si rezultat i hetimit të mëtejshëm administrativ. Në këtë kontekst, artikulli synon t’i përgjigjet pyetjes nëse mekanizmat e përdorur gjatë rivlerësimit kalimtar kanë qenë të mjaftueshëm për të zbuluar pasuritë e padeklaruara dhe për të garantuar një kontroll efektiv të integritetit pasuror të magjistratëve. Vëmendje i kushtohet gjithashtu kufizimeve praktike të këtyre mekanizmave, përfshirë vështirësinë e identifikimit të pronësisë faktike, përdorimin e personave të lidhur, kompleksitetin e gjurmimit të burimeve financiare dhe nevojën për shkëmbim më efektiv të informacionit ndërmjet institucioneve. Në përfundim, artikulli argumenton se procesi i rivlerësimit kalimtar ka përfaqësuar një instrument të rëndësishëm në evidentimin e problematikave pasurore, por identifikimi i pasurive të fshehura nuk mund të mbështetet vetëm në një proces të jashtëzakonshëm dhe të kufizuar në kohë. Për të garantuar integritetin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë, nevojitet forcimi i mekanizmave të kontrollit periodik, rritja e kapaciteteve institucionale dhe teknike për gjurmimin e pasurive, si dhe përdorimi më efektiv i analizës financiare dhe i të dhënave për identifikimin e pasurive të padeklaruara.

Artikulli i plotë: 

Facebook Comments

 

 

Partnere e sponsore