Më 28 janar 2025, në mjediset e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, u zhvillua një forum diskutimi i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me këtë universitet, mbi tematika kyçe të Kapitujve 23 dhe 24 të procesit të integrimit europian. Diskutimet u bazuan në artikujt e fundit të publikuar në revistën online “EuroSpeak” si revista e parë në gjuhën shqipe që trajton çështje të integrimit europian, krijuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në vitin 2011.
Prof. Assoc. Dr. Lenida Lekli, Zv. Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, theksoi rëndësinë e forumeve të tilla për të nxitur debatet publike mbi procesin e integrimit europian, duke vlerësuar angazhimin e studentëve dhe stafit akademik. Ajo gjithashtu nënvizoi se rëndësia për të patur diskutime në fusha interdisiplinore, kryesisht me studentë të cilët janë të regjistruar në programe studimi që nuk ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian apo çështje të tjera me fokus Bashkimin Europian dhe legjislacionin e tij. Këto diskutime do të rrisin kapacitetet e studentëve e aktorëve të tjerë, dhe do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë sfidat me të cilat përballet rrugëtimi ynë europian.
Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri, gjithashtu paraqiti nevojën për t’u angazhuar sa më jetësisht në nisma të cilat ndërmerren në kuadër të procesit të integrimit europian, kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile, fokusi i të cilave qëndron në rritjen e kapaciteteve në këtë fushë. Ajo theksoi se revista online “EuroSpeak” shërben si një platformë për rritjen e dialogut për këto çështje të cilat duhet të kenë më shumë mbulim nga të gjithë aktorët e përfshirë në procesing e negociatave. Më tej, ajo theksoi se EuroSpeak ka mbuluar mungesën e mendimeve dhe shtrirjen e ekspertizës në gjuhën shqipe në shtylla gjithëpërfshirëse të përfshira në revistë si ato sociale, ekonomike, fuqia e butë, zgjerimi, çështje nga Shqipëria, etj, dhe autorë të saj përfshijnë edhe profesionistë të rinj, duke ofruar një hapësirë kërkimi për ta.
Dr. Eriada Çela, Lektore, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, prezantoi artikullin e saj mbi gjuhën e pakujdesshme në media dhe pedagogjinë feministe, duke nxjerr në pah normalizimin shqetësues të stereotipave gjinorë dhe gjuhës së dhunshme në media. Ajo theksoi fuqinë e gjuhës në formësimin e perceptimeve dhe nevojën për më shumë përgjegjësi në mënyrën e komunikimit mediatik. Ajo përmendi ligjin e së drejtës për t’u harruar që garanton fshirjen e të dhënave të vjetra të cilat cënojnë individët të integrohen në shoqëri, sidomos pasi kanë qenë të përfshirë në skena dhune që prish imazhin e tyre. Gjithashtu, viktimat e krimit duhet të gëzojnë të drejtën e plotë për t’u familiarizuar dhe përfshirë në tregun e punës apo mjedise të tjera të cilat ata dëshirojnë të marrin pjesë aktivisht. Kjo e drejtë shpesh cënohet nga mediat, veçanërisht ato online, të cilat nuk respektojnë etikën gazetareske, pasi raportimi i rasteve të dhunës në media shoqërohet me emrat dhe fotot e viktimave. Në të njëjtën mënyrë, edhe mostrajtimi i pabarazisë gjinore në Shqipëri në arsim është një mungesë e tejskajshme theksoi Çela. Prandaj, shihet e nevojshme që pedagogjia feministe të inkorporohet në tekstet shkollore dhe jo vetëm, gjithashtu edhe në edukime joformale, për ta kthyer shoqërinë në një mjedis të barabartë.
Dr. Joana Kosho, Lektore, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, trajtoi çështjen e paktit të migracionit dhe azilit, të miratuar nga Komisioni Europian, duke analizuar nëse ky pakt ofron zgjidhje të qëndrueshme për valët e emigrantëve apo mbetet një instrument i brendshëm për menaxhimin e krizave të BE-së. Ky pakt sjell një sërë rregullash të reja të cilat shërbejnë për menaxhimin e kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të BE-së, kryesisht për vendet nën “presion migrator”. Më tej, ajo ngriti pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e solidaritetit europian dhe ndikimin e tij në zgjidhjet humanitare për migrantët, pasi disa shtete mund të konsiderojnë si më të arsyeshëm solidaritetin financiar në vend të pranimit të azilkërkuesve në territorin e tyre. Kjo nënkupton që shtetet anëtare do të vazhdojnë të përpiqen për t’i mbajtur të mbyllura kufijtë e tyre, duke i penguar njerëzit të bëjnë aplikime për azil. Kjo vjen falë edhe rritjes së partive të ekstremit të djathtë në shumë shtete të Unionit. Në përfundim, ajo theksoi se duket sikur pakti është një përpjekje për të zgjidhur pakënaqësitë e këtyre partive skeptike sesa të mbrojë të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve dhe të menaxhojë krizën e vazhdueshme.
Dr. Lulzim Hoxha, Lektor, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, prezantoi artikullin e tij mbi sistemin arsimor në Shqipëri dhe fenomenin e “rrjedhjes së trurit”, duke nënvizuar se largimi masiv i profesionistëve të rinj po krijon një cikël domino që dëmton zhvillimin e vendit. Hoxha shtoi se rezultatet e Censit të vitit 2023 treguan se, krahas rënies së numrit të popullsisë, fenomeni i emigracionit është veçanërisht i pranishëm te të rinjtë ku numri i popullsisë së moshës 15-29 vjeç ra afërsisht me 17%. Përqindja e lartë e papunësisë te të rinjtë evidenton haptazi hendekun midis sasisë së të diplomuarve dhe nevojave reale të tregut të punës, gjë që e stimulon edhe më tepër dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga vendi. Hoxha theksoi më tej se një arsyet madhore pse të rinjtë largohen masivisht nga vendi është mungesa e fondeve për arsimin. Ndaj, ai propozoi zgjidhje si rritja e investimeve në arsim; rritjen e ndërveprimit midis institucioneve arsimore dhe sektorit privat në mënyrë që njohuritë të cilat fitohen në auditor të përdoren gjerësisht në tregun e punës; krijimin e programeve të përbashkëta Erasmus me universitetet e Ballkanit Perëndimor dhe nisma konkrete për “kthimin e trurit” në vend. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e masave konkrete për të frenuar migrimin masiv të të rinjve, duke sugjeruar përmirësimin e mundësive për arsim dhe punësim brenda vendit. Po ashtu, u nënvizua ndikimi i gjuhës dhe mediatizimit në perceptimet shoqërore, ku theks i veçantë iu dha nevojës për ndërgjegjësimin e aktorëve mediatikë mbi përdorimin e një gjuhe të kujdesshme, Diskutimet prekën gjithashtu sfidën e menaxhimit të rritjes së numrit të emigrantëve në Shqipëri, duke propozuar qasje humane dhe zgjidhje të qëndrueshme për integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare.
*Ky forum diskutimi zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).