Event: Prezantimi në Elbasan i Revistës Juridike Shqiptare

Më 26 maj 2017, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Lëvizja Europiane në Shqipëri zhvilloi aktivitetin prezantues mbi Revistën Juridike Shqiptare (AJL), nismë e ndërmarrë me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Shqipëri.
Gjatë aktivitetit prezantues ku morën pjesë më shumë se 60 studentë dhe pedagogë, ishte i pranishëm dhe zv. Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof.As. Peçi Naqellari. Në fjalën e tij, z. Naqellari vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm mes Universitetit dhe Lëvizjes Europiane në Shqipëri, dhe se si këto nisma të ndërmarra nga EMA janë në shërbim direkt dhe të universitetit, studentëve dhe akademikëve. Ai shprehu nga ana tjetër angazhimin për vazhdimin e nismave të tilla.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, foli për rëndësinë e kësaj iniciative. Ai theksoi se edhe pse target grupi i revistës janë profesionistët e fushës ligjore, kjo nuk do të thotë që revista nuk do të jetë interesante për profesionistë të fushave të tjera. Z. Gjipali u shpreh se autorët e revistës shpresojnë të japin kontributin e tyre në analizimin e legjislacionit dhe praktikës në Shqipëri dhe ftoi të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e saj me anë të ideve dhe kontributeve që mund të sjellin.
Më pas fjalën e mori Znj. Nirvana Deliu, Hulumtuese e Politikave në Lëvizjen Europiane në Shqipëri. E cila bëri një prezantim të shkurtër të revistës dhe objektivave kryesore ku ajo mbështetet: si analiza e thellë e kuadrit ligjor dhe realizimi i rekomandimeve dhe sugjerimeve, si dhe ofrimi i një hapësire për debat publik dhe përfshirje në lidhje me aspektet e kuadrit ligjor dhe institucional. Znj. Deliu u ndal në përshkrimin e katër shtyllave të Revistës dhe prezantoi temat e artikujve që gjenden në numrin e parë të ALJ dhe ato që priten të publikohen në numrin  dytë. Në mbyllje të fjalës së saj, Znj. Deliu i bëri thirrje të interesuarve të dërgonin punimet e tyre, pranë stafit editorial të revistës.
Në përfundim pati diskutim dhe pyetje nga pjesëmarrësit mbi mundësitë për kontribute dhe bashkëpunime dhe informacione të tjera të nevojshme për tu bërë pjesë e Revistës Juridike Shqiptare.

 

 

Partnere e sponsore