Aktiviteti prezantues: Themelimi i Revistës së Integruar Juridike në Shqipëri, 27 Shkurt 2017

Më 27 shkurt, Lëvizja Europiane në Shqipëri zhvilloi aktivitetin prezantues të nismës për “Themelimin e një Reviste të Integruar Juridike në Shqipëri” i ndërmarrë në kuadër të Programit të Sundimit të Ligjit-MATRA të Ambasadës së Holandës në Shqipëri.

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij hyrëse prezantoi nismën mbi Revistën Juridike Shqiptare me fokus profesionistët e fushës ligjore, dhe jo vetëm, që do të marrin pjesë në analizën e sektorëve të ndryshëm ligjorë të cilët kanë impakt të gjerë.

E ftuar në fjalën përshëndetëse Ambasadorja e Holandës, znj. Dewi van de Weerd , theksoi se kjo revistë do të jetë në dispozicion të gjithë publikut pa asnjë pagesë. Roli i kësaj reviste do t’i përngjajë asaj të një mediaje të re. Ajo vuri në dukje se momentet në të cilat gjendet Shqipëria tashmë, janë momente kyçe për Reformën në Drejtësi dhe çdo vonesë është kundër dëshirës së popullit shqiptar, kur në të njëjtën kohë Reforma është një faktor mjaft i rëndësishëm për integrimin në BE. Në mbyllje të fjalës së saj mbështetëse, ajo u shpreh se Revista Juridike përfaqësonte krijimin e urave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Z. Zhani Shapo, anëtar i bordit të Revistës Juridike Shqiptare, si një njohës i mirë i së drejtës administrative dhe më gjerë, diskutoi rreth faktit sesi flitet shumë për të drejtën, por shkruhet shumë pak për të. Ai foli për idenë e ngjizjes së revistës si një burim shtesë juridik, ku përveç analizave ligjore do të mund të analizohet edhe impakti që këto çështje kanë mbi qytetarin. Revista do të jetë një sfidë për të kontribuar me mendime dhe analizime, si dhe një vështrim mbi legjislacionin e ri shqiptar krahasuar dhe me atë europian.

Në fund Kryeredaktorja e Revistës Juridike Shqiptare, znj. Holta Ymeri, shpjegoi aspektin praktik të organizimit dhe funksionimit të revistës juridike shqiptare online, e cila do të jetë e ndarë në 4 shtylla të rëndësishme tematike: 1) Kuadri Ligjor në Shqipëri; 2) çështjet praktike dhe administrative; 3) Të drejtat e njeriut ; 4) Zhvillimet më të fundit në EU dhe Integrimi Evropian. Ajo shpjegoi se kjo revistë do të përfshijë një rreth të gjerë profesionistësh dhe personash të interesuar mbi këto çështje, të cilët do të analizojnë në mënyrë të thelluar jo vetëm aspektet tekniko- juridike të reformave por edhe impaktin e tyre në publik. Artikujt e numrit të parë të revistës trajtuan katër tema si: Zhvillimet e legjislacionit për importin e mbetjeve në Shqipëri; Të drejtën e apelit për masën e sigurimit të padisë; Reformën në arsimin e lartë dhe ndikimin që reforma ka tek e drejtën për akses në arsimim e lartë; Regjimi i lirë i vizave i Zonës a Schengen dhe Mekanizmi i emergjencës i ndalimit të lëvizjes së lirë.

 

 

Partnere e sponsore