Rregullimi i institutit të ekstradimit në legjislacionit shqiptar dhe ndikimi i tij në luftën kundër kriminalitetit (2025), Msc. Evanthi Suli

Abstrakti: 

Në kuadër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave vetjake, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 39 të saj ka sanksionuar se asnjë shtetas shqiptar nuk mund të dëbohet nga territori i shtetit dhe ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, dhe vetëm me vendim gjyqësor. Ky parashikim ligjor vjen në koherencë me vetë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila në nenin 5, pika 1 ka parashikuar shprehimisht se: “Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që parashikohen shprehimisht dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj”. Pra referuar nenit 5, pika 1 e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut privimi nga e drejta e lirisë dhe sigurisë personale, njeh disa raste specifike përjashtimore, sipas të cilave duhet justifikuar heqja e lirisë, në funksion të një procesi penal. Instituti i ekstradimit është një nga format kryesore të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar me autoritetet e huaja në fushën e marrëdhënieve juridiksionale. Në këtë kuadër ndërsa të gjitha parimet e sanksionuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe Konventa e Këshillit të Europës për Ekstradimin tashmë janë inkorporuar në legjislacionin e brendshëm shqiptar, një sërë pyetjesh ngrihen dhe kanë nevojë për një analizë të mirëfilltë juridike: Ҫfarë do të kuptojmë me termin “ekstradim”? Cilat janë parimet kryesore që ka sanksionuar Konventa e Këshillit të Europës për Ekstradimin dhe si e ka rregulluar legjislacioni shqiptar procedurën e ekstradimit duke filluar me kushtet e ekstradimit, kërkesën për ekstradimin e personave të kërkuar dhe detyrimet që duhet të respektohen gjatë procedurës së ekstradimit si nga ana e shtetit që i është drejtuar kërkesa dhe nga shteti kërkues i ekstradimit? Cilat janë shtetet me të cilat shteti shqiptar ka lidhur një marrëveshje dypalëshe ekstradimi dhe a ka pasur ndikim në luftën kundër kriminalitetit mungesa e marrëveshjeve dypalëshe për ekstradimin? A duhet të pranojë gjykata shqiptare kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, në rast se ndjekja penale apo dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar, drejt një shteti që ka vendosur rezervë në normën ndërkombëtare, duke mospranuar kërkesën për ekstradim të shtetasve të tij për shkak se vepra penale ose dënimi është parashkruar sipas ligjit të atij shteti për ҫështje që janë në juridiksionin e tij? Këto pyetje, por edhe shumë të tjera do të analizohen përgjatë këtij punimi.

Artikulli i plotë: 

Facebook Comments

 

 

Partnere e sponsore