
Komuniteti/Bashkimi Europian ishte një faktor i rëndësishëm në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, megjithëse ky pohim ka shkaktuar shumë kritika dhe debate. Ky shkrim përpiqet të rivlerësojë këtë rol sipas pikëpamjes aktuale, pas pothuajse një çerek shekulli që nga nisja e konfliktit. Shkrimi mbron idenë që pavarësisht magësive të Komunitetit/Bashkimit Europian për të parandaluar shpërthimin e urrejtjes etnike në territorin e ish-Jugosllavisë, KE/BE ka dhënë një kontribut të çmuar në drejtime të tjera më pak të eksploruara më parë. Shkrimi trajton “atë që është bërë” dhe jo atë që “nuk është bërë” nga Komuniteti/Bashkimi Europian në fazën e parë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë (1990-1993). Shkrimi mbron dy argumente pak të eksploruara: Që KE/BE u soll si një fuqi e butë (soft power) par excellence duke marrë pjesë në konflikt si një negociator i besueshëm dhe si një fuqi rregullatore in primis duke dhënë kontribut në nivel ndërkombëtar në ndryshimin e koncepteve “popull” dhe “entitet” me anë të normave të prodhuara gjatë viteve 1990-1993.
Ky vlerësim realizohet duke përdorur qasjen konstruktive liberale në kuadrin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, sëbashku me një përshkrim gjeo-politik të panoramës së ngjarjeve dhe shqyrtimit të dokumenteve në Arkivat e Bashkimit Europian në Firence dhe Buletineve të Bashkimit Europian të asaj periudhe. Shkrimi përpiqet t’i shikojë nën një dritë tjetër arsyet e kundërshtimit fillestar të Europës ndaj shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke marrë parasysh lidhjet ekonomike me atë vend, situatën e Politikës së Jashtme brenda KE-së në atë periudhë, dhe situatën gjeopolitike në botë, të gjitha së bashku të konsideruara “limite” të aftësisë së KE/BE-së në ndërmarrjen e aksioneve në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Facebook Comments