
Në kuadër të shtetit të së drejtës, nëse i referohemi pushtetit gjyqësor, mund të themi se aksesi në drejtësi përbën një nga garancitë më themelore të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individit. Pa analizuar elemente të tjerë përbërës të kësaj të drejte, që shfaqen në disa dimensione, si në aspektin procedural, ashtu edhe material të saj, ky punim ka në fokus zhvillimet teknologjike të viteve të fundit, të cilat kanë vënë gjithnjë e më shumë në pah rolin e rëndësishëm të dixhitalizimit të proceseve gjyqësore dhe menaxhimit të të dhënave si një instrument kyç për rritjen e aksesit në drejtësi. Ky punim synon që të analizojë ndikimin që sistemet e dixhitalizuara gjyqësore kanë në garantimin e një drejtësie më transparente, më efikase dhe më të aksesueshme për qytetarët dhe institucionet.
Objektivi kryesor i punimit është të evidentojë mënyrën sesi përdorimi i teknologjisë në administrimin e çështjeve gjyqësore ndikon në lehtësimin procedural të palëve, uljen e kostove dhe kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, si dhe në rritjen e efikasitetit institucional të gjykatave dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë. Punimi fokusohet në aksesin elektronik në të dhënat procedurale, njoftimet elektronike, administrimin dixhital të dosjeve gjyqësore, gjurmueshmërinë e proceseve, gjenerimin e statistikave gjyqësore dhe ndikimin e tyre në rritjen e transparencës dhe besimit publik në sistemin e drejtësisë. Në aspektin teorik, punimi mbështetet në konceptin e “e-Justice” dhe “digital governance”, të cilat trajtojnë përdorimin e teknologjisë si mjet për rritjen e efikasitetit institucional dhe përmirësimin e marrëdhënies ndërmjet qytetarit dhe institucioneve publike.
Punimi do të trajtojë gjithashtu një qasje krahasuese me disa vende europiane që kanë implementuar modele të avancuara të dixhitalizimit të sistemeve gjyqësore, me qëllim identifikimin e praktikave më të mira që mund të përshtaten në sistemin shqiptar të drejtësisë. Në këtë kuadër, do të analizohen raportet dhe rekomandimet e Komisionit Europian, strategjitë dhe dokumentet institucionale të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Krahas avantazheve që sjell dixhitalizimi, punimi do të fokusohet dhe në sfidat që lidhen me kostot financiare të implementimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve elektronike, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rrezikun e cenimit të sistemeve nga ndërhyrje të paautorizuara apo sulme kibernetike.
Fjalë kyçe: dixhitalizimi gjyqësor, aksesi në drejtësi, menaxhimi i të dhënave; e-justice, transparenca dhe efikasiteti gjyqësor.







Facebook Comments