Disproporcionaliteti në caktimin e masave të sigurimit personal në gjykatat shqiptare: Përdorimi i shpeshtë i paraburgimit për vepra me rrezikshmëri të ulët – Rast studimi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë (2025) - MSc. Armand Braho, PhD Cand.

Shtylla përkatëse: 
Abstrakti: 

Masat e sigurimit personal “arrest me burg” për vepra të ndryshme penale kanë mbushur burgjet në Shqipëri, ku aktualisht, vetëm për muajin shkurt 2025, numërohen 2 760 persona të paraburgosur në të gjithë vendin. Gjykatat shqiptare, në vendimmarrjen e tyre, duket se nuk përdorin masat alternative për veprat e lehta penale, të cilat nuk kanosin rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo ndaj autorëve të dyshuar që nuk paraqesin potencial të drejtpërdrejtë për të prishur prova. Kjo qasje e gjyqësorit ndikon drejtpërdrejt në shkeljen e disa standardeve kryesore, të cilat burojnë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), ku konkretisht, në nenin 5 të saj, specifikohet e drejta për liri dhe siguri, si dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor, ku nënkuptohet parandalimi i ndalimeve arbitrare dhe proporcionaliteti në lidhje me rrethanat, veprën dhe faktet.
Në vetvete, kjo qasje mund të çojë në inkriminimin e personave të paraburgosur, të cilët, në momentin e përfundimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor, mund të shpallen të pafajshëm. Gjithashtu, pafajësia lidhet edhe me kosto të shtuara, të cilat burojnë nga izolimi i personave të pafajshëm apo dëmshpërblimi i tyre. Ndërkaq, për personat që kryejnë vepra të lehta penale, aty ku edhe kuadri ligjor lejon masat alternative të sigurimit personal, përsëri, në shumicën dërrmuese të rasteve, prokuroria kërkon masa disproporcionale, në shumicën e çështjeve “arrest me burg”, ku gjykata pothuajse të gjitha këto kërkesa i pranon.
Masat alternative, të cilat përfshijnë garanci ekonomike apo privim të pjesshëm të lirisë, si dhe detyrimin për t’u paraqitur për personat nën hetim, janë pjesë e parimit të ekonomizimit, proporcionalitetit, humanizmit, nevojshmërisë dhe legalitetit. Qasja “e hekurt” e gjyqësorit ndaj personave të ndaluar dhe të dyshuar për vepra penale detyrimisht mund të kthehet në një bumerang, i cili humbet qëllimin thelbësor dhe mund të ndikojë negativisht në qasjen e institucioneve që, në mënyrë jo të qëllimshme, nuk ndjekin standardet europiane që burojnë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, apo nga vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), të cilat përbëjnë një praktikë efikase dhe orientuese për gjyqësorin.
Më herët, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut është shprehur në çështjen Ilijkov kundër Bullgarisë (2001): GJEDNJ theksoi se autoritetet duhet të shqyrtojnë individualisht çdo rast dhe të justifikojnë nevojën për paraburgim, duke marrë parasysh edhe mundësinë e zbatimit të masave më pak kufizuese. Teksa qartësia e kësaj vendimmarrjeje është një thirrje, përsëri gjykatat zgjedhin disproporcionalitetin, si një akt të arsyetimit për drejtësi “të fortë” në sytë e publikut.

Artikulli i plotë: 

Facebook Comments

 

 

Partnere e sponsore